14:33 / E Enjte, 23 Maj 2024 / MSH

Fondacioni “Hasan Prishtina” bën thirrje të mos votohet heqja e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja

Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mes të tjerash do të diskutohet edhe për emrin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si pikë e rendit të ditës, Indeksonline raporton se do të jetë edhe ndryshimi i emrit të Universitetit. Lidhur me këtë ka reaguar Fondacioni “Hasan Prishtina”.

Përmes një letre të dërguar deputetëve, Fondacioni ka bërë thirrje të mos votohet heqja e emrit “Hasan Prishtina” nga UP-ja.

“Është e pabesueshme se si në mbledhjen e mbajtur me 14.05.2024, të Komisionit për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, është votuar Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” votim ky i cili ka përfshirë edhe propozimet për heqjen e emrit të Heroit Kombëtar Hasna Prishtina nga UP. Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët kanë memorie historike dhe të cilët njohin sadopak kontributin e papërsëritshëm të Heroit Kombëtar, ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë, Hasan Prishtinës, të mos përkrahin propozimin përmes ndryshimeve statutare ku parashihet heqja e emrit të tij nga UP” thuhet në letrën e dërguar.

Tutje, duke u prezantuar kontributi historik i Prishtinës, propozohet të amandamentohet Neni 2 i draftit të statutit të Universitet, me disa pika të rënditura, përmes të cilave ruhet emri i Universitetit dhe ndërohet figura e Hasan Prishtinës./Indeksonline/