16:42 / E Enjte, 25 Prill 2024 / L K

Fondacioni Kosovar për Ndërmarrje Sociale lanson programin “punedore” koncept i ndërmarrjes sociale për persona me aftësi të kufizuara

Fondacioni Kosovar për Ndërmarrje Sociale në bashkëpunim  me Klubin “Dëshira” dhe në mbështetje të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë  në Prishtinë, sot lansoi programin “Punëdore”.
Ky program është një mundësi e mirë për integrimin e personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore dhe ekonomike në vendin tonë.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë Z. Rastislav Kostilink,  tha se personat me aftësi të kufizuara shihen si të të margjinalizuar në shoqëri prandaj dhe i kanë të fokusuara projektet e tyre për këtë kategori.  

“Ne besojmë se shëndeti mendor është më i rëndësishmi dhe kemi fokusuar përpjekjet tona në këtë drejtim. Kujdesemi për personat që shihen si të margjinalizuar për të mundësuar që ata të kenë një jetë më të mirë. Projekti po ecën përpara dhe besojmë se në fund të tij do të kemi rekomandime për të përmbushur një jetë më të mirë për këta persona”. Tha Kostilink

Driton Bajraktari, Drejtor i Fondacionit Kosovar për Ndërmarrje Sociale, tha se programi bazohet në konceptin e ndërmarrjeve sociale, që kanë për qëllim të aktivizojnë grupet e cenuara të popullatës në një jetë të zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe të përfshijnë ata në tregun e punës. Programi synon që këta persona të gjejnë veten në një jetë socio-ekonomike.

“Bashkë me Klubin “Dëshira”, jemi këtu që të ndërtojmë këtë progrm bazuar në konceptin e   ndërmarrjeve sociale si një fushë të re në vendin tonë. Përmes këtij programi ne do të mundësojmë që të krijohet qasje  në produktet që janë punuar nga personat me aftësi të kufizuara” tha Bajraktari

Adelina Sahiti, Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, tha se ky program vë në pah talentin dhe aftësitë që i kanë këta persona. Ajo tha se kryeqyteti ka qenë gjithmonë pranë këtyre grupeve dhe se dera për këta persona është gjithmonë e hapur në rrugën e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale si një fushë të re në vendin tonë.

Nusret Shilliva, Drejtori i  “Klubit Dëshira”, tha se anëtarët e klubit përfaqësojnë një punë të madhe në funksion të jetësimit të këtij programi dhe të shumë programeve të tjera në të cilat ata marrin pjesë vazhdimisht dhe se bashkëpunimi me Fondacionin për Ndërmarrje Sociale ka rritur potencialin e anëtarëve dhe ka mundësuar rritjen e kreativitetit tek ata.

Ky program ka filluar në muajin nëntor dhe ka përfshirë 10 persona të zgjedhur me aftësi të kufizuara, të cilët kanë prodhuar produkte të ndryshme përmes punës së dorës. Gjatë zhvillimit të aktiviteteve, janë identifikuar edhe aftësitë e punës së anëtarëve. Punimet e realizuara në këtë projekt mund të porositen dhe të blihen në faqen e Klubit “Dëshira” dhe në faqen e #punedore.shop / KosovaNews