”Forca Shqipëri”, Sylvinho reagon pas vazhdimit të kontratës
Ditën e djeshme, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka vazhduar kontratën me trajnerin e kombëtares kuqezi, Sylvinho, deri në korrik të vitit 2026.
Braziliani ka vazhduar kontratën së bashku me zëvendësit e tij, Pablo Zabaletan dhe Dorival, shkruan IndeksOnline.
Pas vazhdimit të kontratës, Sylvinho ka bërë një postim në rrjetet sociale.
“Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet.
Deri tani kemi arritur një objektiv historik: kualifikimin për herë të dytë në finalet e një Kampionati Evropian, duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme, si dhe kualifikimin për herë të parë në fazën “play-off” të Botërorit 2026.
Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi. Ajo që na pret më pas do të kërkojë edhe më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë.
Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër.
Forca Shqipëri!”, ka shkruar Sylvinho./IndeksOnline/

