Forcat amerikane godasin një barkë të dyshimtë me drogë, vriten dy persona
Ushtria amerikane thotë se ka goditur një barkë tjetër në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor për të cilën pretendon se ishte duke transportuar drogë, duke vrarë dy njerëz të enjten.
Komanda Jugore e ushtrisë amerikane tha se barka po operohej nga grupe që janë në listën e organizatave terroriste dhe po lundronte në rrugë të njohura të narko-trafikimit, raporton televizioni BBC.
Sipas një deklarate të Komandës Jugore në rrjetin X, asnjë pjesëtar i forcave ushtarake amerikane nuk është lënduar gjatë operacionit.
Sulmi i së enjtes është i dyti i këtij lloji në vitin 2026. Ritmi i sulmeve është ulur dukshëm që nga fillimi i janarit, kur forcat amerikane e kapën presidentin venezuelas, Nicolas Maduro, i cili akuzohet nga administrata e Trumpit se kishte punuar me grupe që merren me trafikimin e drogës.
Të paktë 36 sulme të tilla u kryen brenda një periudhe 4-mujore në pjesën e fundit të vitit të kaluar. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se qëllimi i këtyre sulmeve është që të largohen “narko-terroristët nga hemisfera jonë” dhe që Shtetet e Bashkuara të mbrohen nga “droga që po i vret njerëzit tanë”.
Megjithatë, disa ekspertë ligjorë kanë thënë se këto sulme mund të jenë të paligjshme dhe mund ta shkelin të drejtën ndërkombëtare për shkak të shënjestrimit të civilëve, pa ua ofruar paraprakisht të dyshuarve procesin e duhur të gjykimit.

