14:25 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Forcat e Assadit ua prenë rrugën ushtarëve amerikanë, marrin goditje të dyfishtë

Ushtarët amerikanë kanë vrarë një pjesëtar të regjimit sirian të Bashar al-Asadit pas një konflikti pasi forcat e regjimit u përpoqën t’i ndalonin në rajonin Al-Hasakah të Sirisë, raporton AA.

Sipas informacioneve që AA ka marrë nga burime të sigurta, mësohet se një numër i madh i forcave “Shabiha” pro regjimit në orët e para të mëngjesit u përpoqën të pengonin kalimin e autokolonës amerikane në pikën e kontrollit të regjimit në fshatin Khirbet Amo, i cili ndodhet mbi rrugën Al-Hasakah-Al-Qamishli.

Burimet njoftuan se disa prej milicëve që ia prenë rrugën e patrullës ishin të armatosur dhe se pas tensioneve midis palëve ka humbur jetën një milic si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët amerikanë.

Pas kësaj, theksohet se edhe milicët Shabiha janë kundërpërgjigjur, duke hapur zjarr në ajër.

Pas ngjarjes, ushtarët amerikanë janë kthyer me mjetet e tyre në qendrën e qytetit Al-Hasakah, ndërsa milicët Shabiha me veshje civile janë shpërndarë.

  • SHBA ndërmori sulm ajror

Pas incidentit, dy avionë luftarakë të SHBA-së u ngritën nga baza Tel Beyder në Al-Hasakah dhe ndërmorën sulme ndaj dy pikave ushtarake të forcave të regjimit në rajonin Khirbet Amo.

Në vijën patrulluese të ushtarëve amerikanë ndodhen disa pika ushtarake që i përkasin ushtrisë së regjimit dhe grupeve të huaja terroriste me mbështetje iraniane.

Forcat e SHBA-së javën e kaluar filluan punimet për ndërtimin e bazave dhe pikave të reja ushtarake në dy vende në afërsi të rajonit ku ndodhi incidenti në Al-Hasakah.

Ndërkaq, nga ana tjetër, agjencia e lajmeve e regjimit, SANA, në lajmin e saj të fundit lidhur me ngjarjen pretendoi se si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat e SHBA-së është vrarë një civil dhe është plagosur një tjetër, transmeton IndeksOnline.

  • SHBA-ja e pranishme në fushat e naftës

SHBA-ja me fillimin e operacionit antiterrorist turk “Burimi i Paqes” evakuoi bazat e saj në zonën e operacionit dhe i dha përparësi vendosjes së saj në rajonet pranë fushave të naftës.

Aktualisht, forcat e SHBA-së, të cilat vazhdojnë mbështetjen për grupet kurde YPG-PKK, janë të pranishme në gjithsej 11 baza dhe pika ushtarake në rajonet Al-Hasakah, Raqqa dhe Deir ez-Zor, të cilat ndodhen nën pushtimin grupeve kurde.

Gjithashtu, ëashingtoni dërgon vazhdimisht përforcime ushtarake për pikat dhe bazat ushtarake që ndodhen në fushat e naftës nën okupimin e YPG-PKK-së.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se kanë vendosur nën siguri fushat e naftës në lindje të vendit dhe se një pjesë e ushtarëve amerikanë do të qëndrojnë atje.

Rajoni nën pushtimin e grupeve YPG/PKK kohët e fundit është bërë skenë e mosmarrëveshjeve SHBA-Rusi. Forcat amerikane që nga 18 janari kanë ndërprerë rrugën dhe kanë shkaktuar kthimin pesë herë të ushtarëve rusë të cilët janë përpjekur të mbërrijnë në fushën e naftës Rumaylan në verilindje të rajonit Al-Hasakah.