Ford po planifikon të krijojë një supermakinë “offroad”

CEO i Ford, Jim Farley, ka zbuluar se kompania po mendon të krijojë një supermakinë të paprecedentë për terrene jashtë rrugës (offroad).
Duke folur në një podcast të Bloomberg, ai tha se nuk ekziston ende “Porsche i off-road” dhe Ford mund të marrë këtë rol.
Farley sugjeroi një makinë me rreth 1,000 kuaj fuqi, pjesërisht elektrike, e cila do të ofronte rregullime të plota të pezullimit, amortizimit dhe lartësisë së makinës.
Ai theksoi se nuk do të ishte një pickup, por një supermakinë e shpejtë për zhavorr, rërë dhe terrene të ngjashme, ndryshe nga çdo gjë që është parë deri më sot.
Farley tha se është duke biseduar seriozisht me ekipin e tij për këtë projekt, megjithëse ende nuk është vendosur nëse do të jetë dy ose katër vendëshe.
Sipas tij, një model i tillë do të thyente “monotoninë e supermakinave moderne” dhe do të sillte diçka krejt ndryshe në treg.