Formohet lista me personat që mund të dalin nga Gaza në Egjipt

Ditën e djeshme nisi lejimi i kalimit nga Gaza në Egjipt i shumë palestinezëve.
Përmes kalimit në pikën Rafah, shumë banorë ia mësynë kufirit për të dalë në “zonën e sigurt”.
Sot është përpiluar një listë me persona që kanë pasaporta të huaja dhe atyre që kanë dy shtetësi, e që janë 600 të tillë, raporton BBC, transmeton Indeksonline.
Ata do të evakuohen, teksa palestinezë me një pasaportë pritet të përzgjedhen varësisht nga plagët dhe të dërgohen për trajtim ne spitalet fushore në Egjipt.
Deri më tani, Rafah vazhdon të jetë i vetmi vendkalim ku mund të qarkullojnë palestinezët dhe të ketë hyrje-dalje të ndihmës humanitare.
Ka vetëm dy kalime të tjera në Rripin e Gazës – Erez, një kalim në Izrael në Gazën veriore, i cili është për banorë, dhe Kerem Shalom, një kryqëzim për tregti mallrash me Izraelin në Gazën jugore. Të dy këto kalime u mbyllën pasi shpërtheu lufta dhe vazhdojnë të jenë të mbyllura, shkruan BBC.
Në Gaza vazhdojnë të mbesin mbi 2 milionë banorë që jetojnë në zonën e rrezikut dhe nuk mund të zgjedhin të largohen.