75 Mall Live Search
12:12 / E Shtunë, 05 Mars 2022 / MSH

Formula 1 përjashton pilotin rus Mazepin dhe ndërpret kontratën me sponsorin Uralkali

Zyrtarisht, Nikita Mazepin nuk do të garojë në Kampionatin Botëror të Formula 1 me Haas në 2022 .

Pas thashethemeve të këtyre ditëve, mbërriti zyrtarisht shkarkimi i shoferit rus dhe në të njëjtën kohë u ndërpre me efekt të menjëhershëm partneriteti me Uralkali, një kompani minerare e afërt me presidentin rus Putin dhe në pronësi të babait të Mazepin, Dmitry. Vendimi u mor për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Haas ka zgjedhur të ndërpresë bashkëpunimin me Uralkali dhe kontratën me pilotin Nikita Mazepin. Ekipi është i tronditur dhe i pikëlluar nga pushtimi i Ukrainës dhe shpreson për një fund të shpejtë dhe paqësor të konfliktit”, thuhet në deklaratë.

Vetëm tre ditë më parë FIA, e cila u mblodh në një këshill të jashtëzakonshëm pas përkeqësimit të konfliktit në Ukrainë, i dha Mazepin lejen për të garuar.

Konkretisht, në shënimin e Federatës thuhej se pilotët rusë dhe bjellorusë, garuesit individualë dhe zyrtarët mund të marrin pjesë në garat ndërkombëtare ose lokale vetëm si neutralë dhe nën ‘flamurin e FIA’s’, larg uniformave, pajisjeve dhe makinave, simboleve, ngjyrave, himnit, flamujve kombëtarë të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në vend të rusit do të garojë Pietro Fittipaldi, piloti i tretë i ekipit amerikan dhe nipi i dy herë kampionit të botës në F1, Emerson.