75 Mall Live Search
17:11 / E Shtunë, 29 Qershor 2024 / MSH

Forumi i Dubrovnikut, Gërvalla: Shpresojmë që këtë vit anëtarësohemi në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku foli për çështjen e anëtarësimit  të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gërvalla tha se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka dhënë një votë të qartë prej 82 për qind për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por një gjë e tillë s’ka ndodhur, pasi Kosova s’është futur në agjendën e Këshillit të Ministrave.

Ajo shtoi se po punojnë fort me ministra e ambasadorë në KiE, që një gjë e tillë të ndodhë gjatë këtij viti.

“Ata kanë deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat para anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Dhe ja ku jemi aktualisht. Ne po punojmë fort me ministra e ambasadorë në Këshillin e Evropës. Unë sapo kam ardhur nga Strasburgu dhe shpresojmë që këtë vit të bëhemi anëtar të Këshillit Evropës”.

“Por, një gjë është e qartë që kurdo që ndodh kjo, Kosova që nga prilli i vitit 2024 i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Gjithçka tjetër është politike. Çka ishte e rëndësishme për ne në Kosovë për  të arritur ishte të tregojmë që standardet e larta e sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave janë në vendin tonë dhe ky është mesazhi më i fortë që Kosova mund ta çojë”, tha Gërvalla.

Më tej, Gërvalla deklaroi se shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Kosovës janë pro anëtarësimit të Kosovës, por sipas saj, Kosova gjithnjë duhet “t’i stërpërmbush kërkesat që t’i marrë shanset e njëjta si të tjerët”.

“Historinë s’mund ta ndryshojmë. Kosova gjithnjë duhet t’i stërpërmbush kërkesat që t’i marrë shanset e njëjta si të tjerët. Liberalizimi i vizave është vetëm një shembull i kësaj dhe mund ta shohim se vetëm në gjashtë muajt e fundit, qytetarët e Kosovës mund ta shijojnë faktin që s’janë të izoluar”.

“Jo vetëm Lituania, jo vetëm vendet baltike, jo vetëm fqinjët tanë, por shumë vende në Evropë po e kuptojnë se Kosova nuk është vetëm një shtet i pavarur, por është një shtet ku vlerat evropiane janë thelbi i ekzistencës së shtetit tonë”, tha ajo.