Forumi i kryetarëve të gjelbërve nis punimet në Shqipëri, Osmani: Fushë- Kosova përfitoi panele solare

Komuna e Fushë-Kosovës ka përfituar nga panele solare për gjashtë shkolla. Këtë e ka bërë të ditur kandidati për kryetar të Komunës së Fushës Kosovës nga radhët e LDK-së, Besnik Osmani, pasi që Forumi i kryetarëve të gjelbër ka nisur punimet në Shqipëri.
“Forumi i kryetarëve të gjelbër nis punimet në Shqipëri, ku sot u mblodhën kryetarë të komunave, përfaqësues të tyre dhe njësive vendore, drejtorë shkollash, mësues dhe nxënës për të çelur punimet e Forumit të kryetarëve të gjelbër. Ky Forum bashkon komunitetet pjesëmarrëse të nismës ‘Shkollat me diell} dhe shënon hapin e parë drejt krijimit të aleancës së kryetarëve të gjelbër — një platformë e dedikuar për: Lidhjen e lidershipit lokal përafrimin e ambicieve vendore me drejtimin strategjik, sigurimin e dukshmërisë, burimeve dhe fuqizimit gjatë gjithë procesit të tranzicionit të gjelbër. Jam shumë i lumtur që, si pjesëmarrës në këtë rrjetëzim, Komuna e Fushë-Kosovës ka përfituar panele solare për 6 shkollat tona, tashmë të instaluara, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme ne bëhemi pjesë e nismës së madhe për përfitime serioze të agjendës së gjelbër. Aleanca do të shërbejë si trampolinë për bashkëpunim më të fortë, duke garantuar që bashkitë të luajnë një rol aktiv dhe të qëndrueshëm në këtë rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Osmani.