08:00 / E Premte, 05 Korrik 2019 / indeksADMonline

Forumi për Investime në Prizren sjellë 60 biznese nga diaspora

Prej sot deri më 7 korrik do të zhvillohet Forumi i Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, i cili organizohet në Prizren nga organizata Germin në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe partnerë të tjerë, të cilët do të sjellin së bashku 60 biznese nga diaspora dhe vendet tjera.

Folës kryesor i kësaj ngjarje është Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, themeluar më 2019 nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë.

Pas hapjes zyrtare nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe fjalimit të Destanit, folësit e tjerë do të jenë Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën, pastaj Liza Gashi, drejtoreshë e organizatës Germin dhe Nora Hasani drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Në këtë forum si të parin e këtij lloji në nivel lokal, Komuna e Prizrenit gjatë ditës së dytë (6 korrik), do të prezantojë vizionin dhe projektet kapitale për investitorët potencial të këtij qyteti.

Ceremonia e hapjes së këtij forumi do të organizohet në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, nga ora 20:00.