Fotografi kërkon mbrojtjen e ‘Kanionit të Holtës’ nga shkatërrimi
Fotografi Nëntor Oseku ka shprehur indinjatë të thellë për shkatërrimin e monumentit të mbrojtur natyror në Shqipëri.
Ai përmes një shkrimi në facebook ka kërkuar që të nënshkruhet një peticion ku do të pranojnë pjesëmarrjen në një protestë të organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata ‘Zagoria’ në sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, transmeton Indeksonline.
Oseku thotë se shkatërrimi i kanionit të Holtës për ngritjen e hidrocentraleve do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar.

Postimi i plotë i tij në facebook pa ndërhyrje:
Një vit më parë bëra kamping disaditorë në kanionin e Holtës. Gjatë këtij kampingu qemë mahnitur me bukuritë e kësaj perle të Shqipërisë së Mesme.
Fotot e këtyre ditëve të publikuara në medie, ku shihet betonizimi për ngritjen e hidrocentraleve, na dëshpëroi pa masë. I indinjuar thellë për shkatërrimin e këtij monumenti të mbrojtur natyror, që do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar, ftoj miqtë dhe adhuruesit e shumtë të natyrës që masivisht ta nënshkruajnë peticionin, përkatësisht të marrin pjesë në protestën e organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata “Zagoria”, e paraparë të mbahet në Sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, me datën 25.01.2019, duke filluar nga ora 11:00.
Peticioni:
https://www.change.org/p/thuaji-jo-ndertimit-abuziv-ne-nje-…
BUKURITË E KANIONIN TË HOLTËS
Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.
Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.
Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj.
Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës.



