Fotografonte fshehurazi pasagjeret e mitura në tualetin e avionit, dënohet me 18,5 vite burg

Një ish-stjuard i linjës ajrore “American Airlines” është dënuar me 18,5 vite burg për vendosjen e një telefoni të fshehur në tualetin e avionit me qëllim regjistrimin e vajzave të mitura. Ngjarja tronditëse ndodhi në shtator 2023, kur një 14-vjeçare zbuloi telefonin e ngjitur me shirit në kapakun e tualetit gjatë një fluturimi nga Charlotte drejt Bostonit, shkruan A2 CNN.
Estes Carter Thompson III, nga Karolina e Veriut, u arrestua në janar 2024 dhe u akuzua për përpjekje për shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe posedim të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve që përfshinin një të mitur para pubertetit. Ai u shpall fajtor dhe mori një dënim prej gati 20 vitesh nga Gjykata Federale në Boston, i cili do të pasohet me 5 vite liri të mbikëqyrur.
Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se Thompson kishte regjistruar të paktën 5 vajza të moshës nga 7 deri në 14 vjeç në një periudhë nëntëmujore. Prokurorët theksuan në dokumentet e gjykatës se viktimat janë privuar nga ndjenja e sigurisë dhe besimit në botë, duke mbetur me trauma të thella psikologjike.
Gjyqtarja Julia Kobick e përshkroi sjelljen e tij si “të neveritshme” dhe tha se “pafajësia e fëmijëve është humbur për shkak të veprimeve të tij”. Në sallën e gjyqit, Thompson kërkoi falje duke i cilësuar veprimet e tij si “egoiste, të sëmura dhe të gabuara”.
Ai pritet të vuajë dënimin në burgun FMC Butner në Karolinën e Veriut dhe, sipas avokatëve të tij, ka ndërmend të ndjekë trajtim të specializuar për krime seksuale.