15:33 / E Martë, 25 Prill 2023 / AR

Fotoja e re Meghan Markle trazon rrjetin

Meghan Markle ka ndezur spekulimet për kirurgji plastike pasi është shfaqur ditën e djeshme me një “look” të ri. Sipas “New York Post”, kjo është paraqitja e saj e parë publike pas njoftimit se nuk do të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles. Meghan ishte pjesë e një segmenti të “TED Talk” me mikun e saj fotograf, Misan Harriman. Në video, 41-vjeçarja dukej mjaft e hijshme dhe ndryshimi i parë që u vu re ishte modeli i saj i flokëve dhe një fytyrë e cila sipas fansave dukej më e tërhequr se zakonisht. Menjëherë pas daljes së fotove të reja, shumë nga përdoruesit e rrjeteve sociale u hodhën në sulm. Të shumtë ishin ata që komentuan se Meghan tani dukej gati  identike me kunatën e saj, princeshën Kate.

Një prej tyre tha: “Iu kthye kirurgjisë plastike? Meghan është aq e trishtuar me jetën e saj dhe do se s’bën të duket si Kate Middleton.”

Një tjetër pretendoi se Markle, kishte ndryshuar edhe ngjyrën e syve në mënyrë që të dukej si princesha dhe komentoi: “O Zot i madh. Meghan Markle është xheloze dhe totalisht e fiksuar me Kate. Ajo vendos dhe lente kontakti ngjyrë lajthie për t’u dukur si ajo.”

Një i tretë u shpreh: “Ajo ka tërhequr fytyrën, ka bërë buzët, ka hequr dhjamin e faqeve dhe ka mbushur mjekrën me filler. Nuk ka sesi të jetë ndryshe!”

Nga ana tjetër, fansat e Meghan-it i dolën në mbrojtje dukeshës dhe sipas tyre ajo nuk po përpiqet aspak të duket si kunata e saj dhe se nuk kishte bërë asnjë operacion plastik. Mbështetësit e saj shpjeguan se Meghan mund të duket ndryshe për shkak të ndriçimit, këndeve dhe konturimit të fytyrës. Një pjesë e tyre ndanin mendimin se ajo dukej e mrekullueshme pa efekte dhe operacione pasi është e bekuar me një bukuri natyrale dhe me një lëkurë të hidratuar e të shëndetshme.

Sipas burimeve, përfaqësuesit e Markle nuk pranuan të komentonin gjatë në lidhje me këto akuza, por thanë se ajo mohon çdo pretendim se i është nënshtruar një ndërhyrjeje. Sipas tyre, Markle ka shtuar shumë peshë me të dyja shtatzënitë dhe më në fund po e humbet. Një i brendshëm për “New York Post” tha se ajo nuk ka bërë asnjë ndryshim në fytyrë pasi e pëlqen shumë hundën e saj natyrale dhe vetëm e konturon për ta nxjerrë atë sa më shumë në pah.