75 Mall Live Search
18:05 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / FR

Franca dënon sulmin izraelit mbi burgun në Teheran: E papranueshme, rrezikoi shtetasit tanë

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka reaguar ashpër ndaj sulmit izraelit të mëhershëm mbi burgun famëkeq Evin në Teheran, duke e cilësuar atë si “të papranueshëm” dhe duke akuzuar Izraelin për vendosjen në rrezik të dy shtetasve francezë të ndaluar aty prej tre vitesh: Cécile Kohler dhe Jacques Paris.

Përmes një postimi në X, Barrot ka shkruar:
“Sulmi që goditi burgun Evin në Teheran vuri në rrezik qytetarët tanë që mbahen aty prej tre vitesh. Kjo është e papranueshme. Të gjitha sulmet duhet të ndalen menjëherë për t’i hapur rrugë diplomacisë.”

Kujtojmë se, burg Evin, një ndër institucionet më famëkeqe të regjimit iranian, njihet si vendmbajtje për të burgosur politikë dhe shtetas të huaj, dhe është simbol i represionit të brendshëm.

Ndërkohë, sulmi i Izraelit ndaj këtij objekti shihet si sinjal i zgjerimit të objektivave të Tel Avivit përtej infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore — duke goditur vetë shtyllat e sistemit të regjimit iranian.