09:02 / E Premte, 27 Janar 2023 / B O

Franca: Ne dhe aleatët nuk jemi në luftë me Rusinë

Franca dhe aleatët e saj nuk po luftojnë kundër Rusisë, tha të enjten Ministria e Jashtme franceze, pas vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke të rënda në Ukrainë.

“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë dhe nuk është asnjëri nga partnerët tanë”, tha zëdhënësja e MPJ-së franceze, Anne-Claire Legendre.

“Dërgimi i pajisjeve ushtarake, nuk do të thotë që jemi pjesë e luftës”, shtoi ajo.

Legendre foli pasi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Bearbock, tha më 26 janar se është e rëndësishme që partnerët perëndimorë të koordinojnë ndihmën ushtarake për Kievin.

Një ditë më parë, Gjermania njoftoi se do t’i jepte Ukrainës 14 tanke Leopard 2, vendim që është pritur që një kohë. Ky vendim i Berlinit po ashtu hap mundësinë që edhe disa shtete të tjera evropiane të furnizojnë Kievin me këto lloje tankesh.