07:49 / E Martë, 05 Mars 2024 / AR

Franca u bë vendi i parë në botë që u garanton grave me kushtetutë, të drejtën për abort

Vatikani lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se, “në epokën e të drejtave universale të njeriut, nuk mund të ketë ‘të drejtë’ për të marrë një jetë njerëzore”

Paris, 4 Mars 2024 /noa.al- Franca është bërë vendi i parë në botë që u garanton grave me kushtetutë, të drejtën për abort.

Sot, francezët votuan për ndryshimin e Kushtetutës që nga viti 1958, duke u garantuar grave të drejtën për një abort. Ky është gjithashtu amendamenti i 25-të dhe i pari pas vitit 2008.

Përfaqësuesit e Senatit dhe Asamblesë Kombëtare u mblodhën në Versajë për një ceremoni të veçantë ku u votua ndryshimi.

“Kur të drejtat e grave janë nën sulm në mbarë botën, Franca ngrihet dhe e vendos veten në ballë të përparimit”, tha kryeministri Gabriel Atal.

Vatikani reagoi për këtë ndryshim kushtetues, në mënyrë tejet domethënëse përmes Akademisë Papnore për Jetën e cila lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se, “në epokën e të drejtave universale të njeriut, nuk mund të ketë ‘të drejtë’ për të marrë një jetë njerëzore”, shkruan noa.al

Me këtë reformë, në nenin 34 të Kushtetutës futet fjalia: “Ligji përcakton kushtet në të cilat arrihet liria e garantuar për gratë për t’iu drejtuar ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë”.

Votimi

Në Versajë, pasditen e sotme, një shumicë e madhe e deputetëve mbështeti përfshirjen në Kushtetutë të së drejtës për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë, e propozuar nga qeveria.

Në fund u numëruan 780 vota pro dhe 72 kundër. Një vendim i shpallur me duartrokitje të forta dhe nën syrin vigjilent të shumë gazetarëve ndërkombëtarë në tribunë.

Tani e tutje, Franca do të jetë vendi i parë në botë që ka vendosur ta përfshijë këtë të drejtë në Ligjin e saj Bazë.

Macron njoftoi pas votimit se amendamenti do të futet në kushtetutë të premten, 8 mars – Dita Ndërkombëtare e Gruas – gjatë një ceremonie në qendër të Parisit që do të jetë e hapur për publikun.

Duke shkruar në rrjetet sociale, ai tha se votimi ishte një çështje e “krenarisë franceze” dhe një “mesazh universal”.

Aborti u legalizua në Francë në vitin 1974. Kufiri ligjor për abortet u zgjat nga 12 në 14 javë të shtatzënisë në vitin 2022. Kjo erdhi mes zemërimit që gratë franceze shpesh detyroheshin të udhëtonin jashtë vendit për këtë procedurë. Kurse tani, aborti sanksionohet me kushtetutë.