75 Mall Live Search
19:00 / E Shtunë, 05 Korrik 2025 / MSH

Francë: Lumi Sena hapet për notarët

Për herë të parë që nga viti 1923, qytetarët e Parisit mund të notojnë sërish në lumin Sena, pas më shumë se një shekulli ndalim për shkak të ndotjes së ujërave.

Hapja sezonale për publikun vjen si pjesë e trashëgimisë së Lojërave Olimpike Paris 2024, ku sportistët e disiplinave si notin në ujëra të hapura dhe triatloni garuan në ujërat e pastruara posaçërisht të lumit.

Të shtunën në mëngjes, rreth orës 08:00 me orën lokale, dhjetëra notarë amatorë ishin ndër të parët që u hodhën në ujë, në përurimin zyrtar të hapjes për publikun.

Janë krijuar tre zona të dedikuara për not në lumë: një pranë Kullës Eifel, një tjetër pranë Katedrales Notre-Dame, dhe një në pjesën lindore të qytetit. Këto hapësira janë të pajisura me dhoma zhveshjeje, dushe dhe mobilie plazhi, dhe mund të presin deri në 300 persona njëherësh.

Deri në fund të muajit gusht, këto hapësira do të jenë të hapura falas në orare të caktuara për të gjithë qytetarët, me kufizime të moshës që variojnë nga 10 deri në 14 vjeç, në varësi të vendndodhjes. Në vendngjarje do të jenë të pranishëm edhe rojet e shpëtimit për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Përpjekjet për të hequr ndalimin e notit në Sena datojnë që nga viti 1988, kur ish-kryebashkiaku i Parisit dhe më vonë president i Francës, Jacques Chirac, u shpreh për herë të parë në favor të kësaj nisme.

Investimet dhe përmirësimet infrastrukturore të realizuara gjatë dy dekadave të fundit kanë sjellë një reduktim të ndjeshëm të ndotjes bakteriale në lumë. Për plot 100 vjet, ndalimi i notit kishte qenë në fuqi për shkak të ndotjes së lartë që përbënte rrezik për shëndetin publik.

Për përgatitjen e Lojërave Olimpike të vitit 2024, autoritetet investuan mbi 1.4 miliardë euro në pastrimin e lumit.

Megjithatë, pak muaj para fillimit të Olimpiadës, u ngritën dyshime mbi gatishmërinë e Senës për t’u përdorur për garat, pasi rezultatet e analizave të cilësisë së ujit nuk ishin të kënaqshme. Organizatorët fajësuan reshjet e dendura për shtimin e ndotjes, e cila pengoi edhe përgatitjet e sportistëve në disiplina si triatloni, noti maratonë dhe paratriatloni.

Në korrikun e kaluar, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, së bashku me anëtarë të Komitetit Olimpik, hynë vetë në lumin Sena për të demonstruar se uji ishte i sigurt për not.