07:19 / E Premte, 19 Nëntor 2021 / OSH

Frikë nga sulmet, Klodian Çalamanin e dërgojnë në paraburgimin e Vlorës dhe e vendosin në izolim

Pasi gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, vrasësi i tetëvjeçarit, Klodian Çalamani është dërguar në paraburgimin e Vlorës. Arsyeja e kësaj lëvizje nga Fieri drejt Vlorës është që të jetë më i mbrojtur nga ndonjë sulm.

Aktualisht 38-vjeçari po mbahet në izolim dhe nuk ka asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë.

Paraditen e djeshme, situata në Gjykatën e Fierit ishte tensionuar nga familjarët e tetëvjeçarit, çka e detyroi Gjykatën të japë masën e sigurisë në mungesë të autorit. Familjarë të Mateo Vasisë kanë hyrë me dhunë në ambientet e gjykatës ndërsa janë konfrontuar edhe me policinë. Ata kanë kërkuar dënim kapital për monstrën që i mori jetën një fëmije.

Por familjarët e Mateos nuk kanë qenë vetëm. Qytetarët e Fierit i janë bashkuar protestës së tyre pranë gjykatës për të kërkuar varjen e Klodian Çalamanit. Qytetarët e Fierit sot ndihen të pasigurt për jetën dhe mosbesues ndaj drejtësisë, e cila disa vite më parë i dha 38 vjeçarit dënim minimal për një krim të ngjashëm.

Protesta e familjarëve të Mateos ka vijuar më tej në sheshin kryesor të Fierit nga ku ka nisur firmosja e një peticioni ku kërkohet dënimi kapital për Klodian Çalamanin. Qindra qytetarë firmosën peticionin.

8-vjeçari Mateo Vasia u masakrua dy ditë më parë nga fqinji i tij Klodian Çalamani, 38 vjeç dhe më pas u gropos. Krimi i rëndë ka tronditur shqiptarët, të cilët drejtojnë gishtin e akuzës nga gjykata, prokuroria e policia.