Fshati në Ferizaj gati që 1 muaj pa ujë, mërgimtari thotë se ia kanë “gërditë” Kosovën

Fshati Cernillë i Ferizajit përballet me mungesë të ujit të pijshëm për gati dy muaj, duke e bërë jetën e banorëve të vështirë dhe duke krijuar kushte alarmante për higjienën dhe shëndetin.
Situata është veçanërisht shqetësuese edhe në shkollën fillore të këtij fshati “Halit Ibishi”, ku 149 nxënës dhe stafi arsimor rrezikojnë përhapjen e infeksioneve për shkak të mungesës së kushteve bazë sanitare.
Me të hyrë brenda objektit shkollor kundërmon aromë tejet e rëndë, dhe thuajse e papërballueshme, shkruan IndeksOnline.
Drejtoresha e shkollës, Mejreme Zhinipotoku, shpreh shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë dhe mungesën e reagimit nga institucionet.
“Gjendja është shumë e rëndë. Ndonjëherë kemi sasi shumë të vogël uji, por shpeshherë nuk kemi fare. Në shkollë janë 149 nxënës, ndërsa me stafin arsimor numri arrin rreth 160 persona. Kemi bërë kërkesa edhe në ministri. Gjithashtu, kam bërë kërkesë në komunë, duke shpresuar që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt. Kemi pasur edhe reagime nga prindërit, pasi mungesa e ujit po na vë përballë rrezikut të përhapjes së viruseve. Shpresojë që ky problem të zgjidhet deri nesër” tha ajo.
Gjendja nuk është më e mirë as për pjesën tjetër të fshatit, ku banorët janë të detyruar të blejnë pompa apo të furnizohen me ujë nga qyteti.
Aroma e rëndë që vjen nga mungesa e ujit është bërë shqetësuese, ndërsa institucionet ende nuk kanë ndërhyrë për të ofruar një zgjidhje.
Nga ana tjetër, Shaban Zhinipotoku, i cili jeton në Zvicër dhe ka ardhur për vizitë në Kosovë, shprehet i zhgënjyer lidhur me këtë situatë në fshat.
“Për mua, si qytetar i Kosovës por që jetoj në Zvicër, kjo është një gjendje e rëndë. Edhe për banorët e tjerë kjo përballje është e papranueshme. Fshati nuk po gjen harmoni sepse ndoshta duhet të bllokojë ndonjë rrugë për të bërë presion. Për mua kjo është e papranueshme. Kur e pashë mungesën e ujit dhe të rrymës, më erdhi mendimi të mos vij më fare në Kosovë,” u shpreh ai.
Edhe Enver Zhinipotoku, poashtu banor i këtij fshati thekson se situata është e padurueshme dhe institucionet nuk kanë marrë masa për zgjidhjen e problemit.
“Është e vërtetë që gati një muaj s’kemi ujë të pijshëm. Kemi biseduar me bashkëfshatarët dhe po mendojmë të blejmë një pompë, vetëm që të kemi ujë. Fshati ka rreth 700-1000 banorë, dhe secili po mundohet të gjejë një zgjidhje vetë. Për ujin e pijshëm vazhdimisht furnizohemi nga qyteti. Kam hapur një pus që më ka kushtuar 700-800 euro. Duhet të gjejmë një zgjidhje, prandaj kam në plan të ftoj banorët që të kontribuojmë me mjete tona. Për Bifurkacionin kemi vetëm fjalët më të këqija,” u shpreh ai.
Banorët e Cernillës dhe stafi i shkollës “Halit Ibishi” kërkojnë një zgjidhje urgjente nga institucionet, pasi mungesa e ujit po ndikon ndjeshëm në jetën e tyre të përditshme dhe në shëndetin e fëmijëve./IndeksOnline/