FSHF-ja sqaron çështjen e biletave, ka një porosi për “Tifozat kuqezi”

Ditën e djeshme është bërë jehonë lajmi për mosdhënien e biletave për “Tifozat kuq e zi”.
Kjo vjen pas vendimit të FSHF-së për të mos ndarë bileta të pararezervuara për tifogrupet e në veçanti të “Tifozave kuq e zi”
Për këtë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) doli me një reagim në “Facebook”, rreth kësaj duke thumbuar indirekt edhe tifogrupin në fjalë.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares…, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF-ja ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares…
Për shumë vjet, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF-ja. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF-ja vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren… ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares…
FSHF-ja mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes mes ekipit Kombëtar dhe mbështetësve të tij të zjarrtë.