12:32 / E Hënë, 15 Mars 2021 / Blerim

FSHF lavdëron Hysajn pak ditë para ndeshjeve të marsit

Një paraqitje të shkëlqyer, ka dhuruar mbrëmjen e së dielës mbrojtësi shqiptar që luan në radhët e Napolit, Elseid Hysaj.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “San Siro” kundër Milanit, Hysaj ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, duke qenë vendimtar në disa raste për gol nga ekipi milanez.

Shkodrani që u hodh në fushë që në minutën e parë nga trajneri Gennaro Gattuso u vlerësua me notën 7.6 nga uebsajti i specializuar për statistikat, “SofaScore”, duke qenë kështu lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes pas portierit të Napolit, Davide Ospina.

Sipas të dhënave të marra nga ky uebsajt, Hysaj ka qenë 73.7% i saktë në pasime në të gjithë ndeshjen dhe ka arritur të fitonte 7 nga 9 duele në fushën e lojës dhe 1 nga 3 duele në ajër.

Kjo ka qenë një fundjavë fantastike për Kombëtaren e Shqipërisë, me paraqitjet e mira të futbollistëve tanë, duke filluar nga mbrojtja me Elseid Hysajn, në mesfushë me Endri Çekiçin, i cili shënoi gol në Turqi dhe duke mbërritur në vijën e sulmit ku Myrto Uzuni shënoi golin e 9-të me Ferencvaroshin.