FSHK kërkon ndërhyrje urgjente: Mjekët profesionistë po ikin
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar pas dorëheqjes së kirurgut, Besnik Bicaj.
FSSHK ka thënë se në këtë kohë kur po ikin njerëzit e kualifikuar, edhe ikja e profesionistëve është kulmi i pakënaqësisë dhe dezorganizimit të sistemit shëndetësor.
“Duke pasur parasysh kohën kur vendit tonë po i ikin njerëzit e kualifikuar dhe të dëshmuar në punët e përditshme. Kur i shtohet kësaj edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keq menaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm atëherë arrihet kulmi i pakënaqësisë dhe i dezorganizimit të sistemit shëndetësor”, thuhet në këtë shkrim.
Ata kanë ftuar Ministrin e Shëndetësisë për ndërhyrje urgjente në këtë rast siç është rasti i dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut të mirënjohur Dr. Besnik Bicaj.
Sipas FSSHK-së, këtë veprim ai e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial.
FSSHK thotë se ky nuk është rast i vetëm edhe ekziston rreziku që kjo të kthehet në dukuri./Indeksonline/