FSK-ja hap konkurs për kadetë të rinj, që të studiojnë në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Ushtarake, në SHBA

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë ka shpallur konkurs për pranimin e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për studime në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake West-Point të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook u theksua se studimet mbahen në gjuhën angleze dhe parashihet të zgjasin katër vjet.
“Është e dëshirueshme që kandidati të ketë të përfunduar testin TOEFL dhe testin SAT. Kandidatët do të nominohen nga Ministria e Mbrojtjes si kandidatë konkurrentë për studime. Kadetët pas përfundimit të shkollimit do të emërohen oficer në FSK, në kohëzgjatje minimale të obligueshme, prej gjashtë (6) vjetëve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu u theksua se të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Kosovës, pa dallim kombi, race dhe gjinie, të moshës 18 deri 22 vjeç./Indeksonline/