75 Mall Live Search
11:52 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / H F

FSK-ja gati për çdo mision, veshmbathje të re për ekipet e kërkim-shpëtimit

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që shërbejnë në njësitë e kërkim-shpëtimit do të pajisen me veshmbathje të re.

Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar ditë më parë kontratën e radhës për furnizim, duke përmbyllur procedurat e tenderit për këtë qëllim, transmeton IndeksOnline.

Dikasteri që udhëhiqet nga ministri Ejup Maqedonci ka nënshkruar kontratën për furnizimin me veshmbathje për ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së, përfshirë njësinë K9 (SUFSK 1001).

Sipas njoftimit zyrtar, kohëzgjatja e kontratës është paraparë të jetë 36 muaj, ndërsa furnizimi do të bëhet në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Qëllimi i kontratës, siç theksohet, është rritja e operacionalitetit dhe efikasitetit të FSK-së në përmbushjen e misionit të saj.

Fillimisht, vlera e parashikuar e kontratës ishte 105,000 euro, por pas përfundimit të procedurave të prokurimit, kontrata u nënshkrua për shumën 103,910 euro.

Tenderi është fituar nga operatori ekonomik “Sodex Group Sh.P.K.”, që do të jetë përgjegjës për realizimin e furnizimeve gjatë periudhës trevjeçare./IndeksOnline/