FSK-ja me mision kërkimi në Shqipëri, vendimi u mor nga qeveria
Një kontingjent i kërkim-shpëtimit, nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së është nisur drejt Shqipërisë.
Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, ky kontingjent do të ndihmojë në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat, raporton IndeksOnline.
Vendimi për shkuarjen e kontingjentit e mori Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një mbledhjeje elektronike.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur dje një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më herët, FSK-ja pohoi se operacioni është duke u zhvilluar në Klos./IndeksOnline/

