FSK-ja mori lëvdata për kërkimin në Ujman, por ende pa pajisje të plota për kërkimshpëtim në mjedise ujore

Pas angazhimit të jashtëzakonshëm në kërkimin e trupit të pajetë të një 33-vjeçari në liqenin e Ujmanit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mori dje vlerësime të shumta për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, ushtarët e FSK-së vazhdojnë të përballen me mungesë të plotë të pajisjeve të nevojshme, sidomos në operacionet e kërkimshpëtimit në mjedise ujore, shkruan IndeksOnline.
Për të plotësuar këto mungesa, Ministria e Mbrojtjes ka hapur një ritender për furnizim me veshmbathje për kërkimshpëtim në zhytje (SUFSK 1001), që do të përdoren nga njësitë përkatëse të FSK-së.

Sipas dokumenteve të tenderit, Autoriteti Kontraktues synon të lidhë kontratë me një operator ekonomik që ka kapacitetin të furnizojë këta artikuj, në përputhje me standardet teknike dhe kërkesat operacionale të forcës.

Vlera e kontratës është 96,000.00 euro, derisa certifikatat e cilësisë dhe garancia njëvjeçare janë të detyrueshme.
“AK i MM-së, ka për qëllim qe të lidhë një kontratë me një OE-në, që do të ketë kapacitet të kryejë furnizim me veshmbathje kërkimshpëtim zhytjeje SUFSK 1001 për nevojat e FSK-së. Furnizimet B05 Njoftim per kontratë 3 / 8 duhet të behet sipas specifikimit teknik të kërkuar të përcaktuar në dosjen e tenderit me qëllim të ngritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së”, thuhet mes tjerash në përshkrimin e shkurtër të njoftimit për tender.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është 18 gushti 2025.

Ky hap përforcon përkushtimin e institucioneve të sigurisë për të ndërtuar kapacitete moderne dhe funksionale, në përputhje me sfidat në terren dhe nevojat reale të forcave./IndeksOnline/
