FSK mbështet zonat e prekura nga vërshimet
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj pas reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjes së disa vendbanimeve në vend.
Sipas njoftimit, FSK, pas situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytja e disa vendbanimeve, ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj për t’u dalë në ndihmë Autoriteteve Civile në menaxhimin e situatës.
FSK ka bërë të ditur se, me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet në gatishmëri kanë intervenuar në shpëtimin e jetëve, bazuar në kërkesat e pranuara nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës.

