18:18 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

FSK në aksion për të kapur ‘Ariun e Murrmë’ që po shkakton dëme në Prizren

Të shumta ishin raportimet për dëmet e shkaktuara nga Ariu i Murrmë. E lidhur me këtë së fundi ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës pjesëtarët e së cilës kanë ofruar ndihmë për menaxhimin e situatës së sigurisë për banorët e fshatit Pouske.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit ka emëruar një Komision për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre.

Tutje të njëjtit kanë bërë të ditur se FSK i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për reagim në rastet e krizave bashkë me disa anëtarë të komisionit të formuar nga MMPK/AMMK, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit:

FSK ofron ndihmë për menaxhimin e situatës së sigurisë për banorët e fshatit Pouske të krijuar pas sulmeve nga Ariu i Murrmë

Duke ju përgjigjur shqetësimeve të fundit të banorëve të fshatit Pouske të Komunës së Prizrenit në lidhje me dëmet e shkaktuar nga Ariu i Murrmë (kafshë e egër e mbrojtur me ligj), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë përkatësisht Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka emëruar një Komision për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre të shkaktuara nga Ariu i Murrmë.

Në kuadër të këtyre vlerësimeve dhe masave MMPH/AMMK ka kontaktuar me shumicën e institucioneve relevante që mundë të ofrojnë ndihmë dhe përkrahje në gjetjen e një zgjedhje të përshtatshme për këtë rast. 
Meqenëse ky rast ndërlidhet me sigurinë e qytetarëve të cilët kanë ankesa të vazhdueshme se u rrezikohet jeta dhe kanë pësuar dëme të pasurisë së tyre, MMPH/AMMK ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

FSK i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese dhe sot një ekip nga njësia ndërlidhëse e FSK për reagim në rastet e krizave së bashku me disa anëtarë të komisionit të formuar nga MMPK/AMMK, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ata kanë vizituar lokacioni dhe janë takuar me banorët e fshatit dhe me ata që kanë pasur dëme nga ariu.
Gjatë analizës së situatës dhe shqyrtimit të nevojave është dale edhe propozimi i banoreve që zgjidhja me e mirë për te tejkaluar situatën do të ishte ndërrimi i lokacionit për ariun e murrmë.