FSK përfundon me sukses operacionin e kërkim-shpëtimit në Liqenin e Jezhnicës

Garda Kombëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses një operacion kërkim-shpëtimi në afërsi të Liqenit të Jezhnicës, në komunën e Shtërpcës.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacioneve nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, FSK ka angazhuar togun e Kërkim-Shpëtimit Malor, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale.
Operacioni, i cilësuar si sfidues dhe me rrezikshmëri të lartë, ka rezultuar me gjetjen dhe tërheqjen e trupit të pajetë të një personi, i cili më pas është dorëzuar autoriteteve kompetente për procedurat e mëtejme ligjore dhe hetimore.
FSK ka falënderuar të gjitha njësitë e përfshira për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij operacioni humanitar.

