75 Mall Live Search
10:49 / E Premte, 29 Dhjetor 2023 / k.v

FSK-së i shtohen edhe 325 pjesëtarë të rinj/ Osmani: Janë trashëgimtarë të UÇK-së (Foto)

Është mbajtur ceremonia e certifikimit të ushtarëve të rinj të gjeneratës së dytë të Stërvitjes Ushtarake Bazë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përballë 325 ushtarëve të rinj, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jam krenare që ju sot do të mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë të FSK-së dhe duke filluar rrugëtimin tuaj plot sfida”, ka deklaruar Osmani.

E para e vendit ka deklaruar se tashmë besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit.

“Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme, për të fituar të gjitha betejat, në një rajon e botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të duhur profesionale dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.