FSSHK me apel për kryetarët e komunave: Sa dekoroni qytetet për festa, investoni në shëndetësi

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës u ka apeluar kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale që të kenë parasysh situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.
“FSSHK-ja është njoftuar me shumat e projektuara për një aktivitet të tillë, andaj kërkon që këto mjete të investohen në sektorin e shëndetësisë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore gjatë pandemisë COVID-19 dhe në mbrojtje të popullatës në nivel komunash.
Është i patolerueshëm dekorimi i qyteteve për festa të fundvitit kur qytetarët tanë po ballafaqohen me kushte të rënda mbijetese me pandeminë dhe gjendjen socioekonomike të familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.
FSSHK-ja u apelon kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale që të jenë më të arsyeshëm sa i përket shpenzimeve të parasë publike.
“Tek e fundit Kosova që nga nesër futet pothuajse në karantinë e që nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, andaj pyetja është kjo?. Kush do t’i vizitojë këto qendra të dekoruara të qyteteve kur kemi masa kufizuese dhe të paktën a kemi ndjeshmëri dhe solidaritet këtë vit me familjet, të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVIDI-19”, thekson komunikata.