Funksionalizohet “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri”

Pas më shumë se katër vite që nga përfundimi i ndërtimit të linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në të dy anët e kufirit, sot përfundimisht linja e njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri” komercialisht është vënë në funksion.
Kjo ka ardhur si rezultat i fillimit të operimit të KOSTT, si Zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë.
Vënia në operim e linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ketë impakt pozitiv në optimizimin e dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe regjionit si dhe do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
“Në një video lidhje direkte e cila u realizua sot me Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë, Kryesuesi i Bordit të KOSTT Jeton Mehmeti dhe Kryeshefi i KOSTT-it Kadri Kadriu shprehën falënderimin e tyre të veçantë për bashkëpunimin e vazhdueshëm profesional nga ana e menaxhmentit të OST Shqipëri, me ç’rast u theksua që angazhimi shumë vjeçar i dy operatorëve KOSTT dhe OST sot është kurorëzuar me operacionalizimin e Bllokut AK, linjës interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri si dhe projekteve tjera të përbashkëta në zhvillim siç është bursa e energjisë ALPEx”, thuhet nw njw njoftim tw KOSTT-it.
Ky investim në vlerë të përgjithshme prej 33.5 milion euro për pjesën e Kosovës, nga e cila 16.5 milion janë grant, plus 17 milion kredi të financuar nga Qeveria Gjermane, nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim-KfW. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Në video lidhjen direkte e cila u realizua sot me KOSTT, përveç menaxhmentit të OST, prezent ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama dhe Ministrja e Energjetikës e Shqipërisë znj.Belinda Balluku.
