13:38 / E Mërkurë, 06 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Funksionalizohet mamografi digjital, në QKMF-në e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë Facebook, ka njoftuar se që nga sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është funksionalizuar dhe lëshuar në shërbim, mamografi digjital.

“Mamografia është një metodë e përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një mamografi bëhen të dukshme edhe tumoret më të vegjël shumë më parë se të jenë të ndieshëm me të prekur ose të njihen nga simptomat e tjera”, ka shkruar Ahmeti, përcjell Indeksonline.

Mesatarisht, 1 nga 8 gra diagnostikohen gjatë jetës me kancer të gjirit. Mbi moshën 50 vjeçe, rastet janë më të shpeshta, prandaj mbrojtja më e mirë është zbulimi i hershëm.

“Ftojmë të gjitha gratë dhe vajzat që të vizitojnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për kontrolle rutinë dhe të informohen sa më mirë për këtë sëmundje dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj.

Zbulimi i hershëm shpëton jetë”, shton numri një i Prishtinës./Indeksonline/