Shërbimi sekret amerikan zbarkon në Kosovë
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, priti sot në një takim zyrtar një delegacion të përbërë nga përfaqësues Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Sipas informatave takimi u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve.
Më tutje është bërë e ditur se gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e kapaciteteve institucionale.
Në takim u theksua gjithashtu mbështetja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Policinë e Kosovës ndër vite, duke kontribuar në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e institucioneve të sigurisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar partneritetin strategjik me institucionet amerikane në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

