75 Mall Live Search
14:18 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / Z S

Fushata zgjedhore, PZAP-ja u shqipton rreth 40 mijë euro gjoba subjekteve politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar një sërë gjobash ndaj disa subjekteve politike për shkelje të rregullave gjatë fushatës që po zhvillohet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas vendimeve të publikuara në uebfaqen zyrtare të këtij institucioni, nga dita e parë e fushatës deri të premten e javës së kaluar, kur është marrë edhe vendimi i fundit, vlera totale e gjobave të shqiptuara ka arritur rreth 40 mijë euro.

Këto gjoba sipas PZAP-së, janë vendosur për shkak të shkeljeve të ndryshme të rregullave zgjedhore dhe të Kodit të mirësjelljes për fushatë, transmeton Klankosova.tv.

Ndër subjektet politike që janë ndëshkuar me gjobë gjatë fushatës janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), NDS-ja dhe Iniciativa Qytetare për Skenderajn.

Gjoba më e lartë është shqiptuar për Iniciativën Qytetare për Skenderajn, në shumën prej 10 mijë eurosh, në dy raste të ndara.

Sipas PZAP-së, kjo gjobë është rezultat i shkeljes së Kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, një dokument që synon të rregullojë sjelljen e pjesëmarrësve në procesin zgjedhor për të ruajtur një ambient demokratik dhe të qetë zgjedhor.