75 Mall Live Search
20:12 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Fushë Kosova në “luftë” me Qeverinë, ndalë punimet e deponisë për mbeturinat

Vendimi e ekzekutivit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit (deponisë) për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë nuk është mirëpritur nga banorët e fshatrave të Fushë-Kosovës.

Në vendimin e Qeverisë së Republikës, të siguruar nga “Indeksonline”, theksohet se vendi ku do të varrosen mbeturinat do të jetë në fshatin Harilaq me parcelë kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Kësisoj, ekzekutivi ka obliguar dikasterin e saj, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ta zbatojë vendimin në fjalë.

Mirëpo, pas kërkesës së banorëve të Fushë Kosovës, komuna të cilën e udhëheq Burim Berisha ka ndërprerë punimet për arsye procedurale, pakënaqësisë dhe refuzimit që i bëjnë bizneset që veprojnë në atë vend.

Përpos zonave rurale, kjo magazinë për mbeturina ‘prek’ edhe Stadiumin Kombëtarë me largësi prej 500 metra  (vijë ajrore).

“Komuna e Fushë Kosovës vlerëson se ky objekt për të cilin nuk dimë asgjë, nuk e ka vendin në këtë zonë, sepse nëse janë materie të rrezikshme nuk mund ta varrosen në zemër të Kosovës. Ne do ta kundërshtojmë me të  gjitha mjetet. Kërkojmë që ky objekt të zhvendoset në zona shumë më të përshtatshme që ka në Kosovë që janë të pabanuara”, thuhet në reagimin e kryetarit Berisha.

Vlen të theksohet se aktualisht Kosova përdorë fshatin e Krivovës që gjendet në ‘vijën kufitare’  mes komunës së Drenasit dhe Fushë Kosovës. /Indeksonline/