18:20 / E Diele, 21 Prill 2019 / indeksADMonline

Fushë Kosovë, deponia e mbeturinave shndërrohet në hapësirë të gjelbëruar

Dhjetëra fidanë janë mbjellur sot në Lagjen 028 në  Fushë Kosovë nga vullnetarët e Let’s Do It.

Fidanet e mbjellura ishin dhuratë e Rrjetit “Kosovo CRS”, të cilët ndër të tjerash iu bashkuan aksionit të sotëm, në të cilin kontriboi edhe komuniteti që jeton aty.

Nga një deponi e madhe e mbeturinave, e njëjta hapësirë publike tani u shndërrua në hapësirë të gjelbër, e cila mund të shfrytëzohet nga i gjithë komuniteti që jeton në atë lagje.

Aktivitetit të sotëm i parapriu një aksion disa ditor pastrimi në këtë lagje, i cili nisi në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom.

Nga aty u larguan dhjetëra kamionë me bërllok nga Kompania “Pastrimi”. Mbeturinat e larguara u pranuan pa pagesë nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.

Ky aktivitet disa ditor pati për qëllim pastrimin e hapësirave publike në një lagje të banuar, si dhe ngritjen e vetëdijes së Komunitetit për rëndësinë e mirëmbajtjes së hapësirave publike, afër të cilave jetojnë.

Let’s Do It sërish bëri thirrje që këto hapësira të mirëmbahen nga të gjithë dhe assesi të mos lejohet që ato të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Po ashtu, kërkohet përgjegjësi dhe punë më të madhe edhe nga Komuna e Fushë Kosovës për mirëmbajtjen e këtyre lagjeve, ku jetojnë komunitetet pakicë.

Edhe aktiviteti i sotëm në Fushë Kosovë ishte pjesë e aktiviteteve që po organizohen nga Let’s Do It në kuadër të Javës së Tokës,

Aktivitetet e Javës së Tokës, do të përmbyllen të shtunën, më 27 prill në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit.