75 Mall Live Search
10:37 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / L A

Futbollist i Premierligës kërcënohet me armë në Londër, arrestohet një agjent i njohur

Një futbollist i Premier League-s është kërcënuar me armë zjarri në një rrugë të Londrës gjatë orëve të vona të natës, në një ngjarje tronditëse që ka shkaktuar bujë të madhe në botën e futbollit anglez.

Lojtari, vlera e të cilit në merkato vlerësohet rreth 60 milionë paundë dhe është në të 20-t e tij, po ecte me një mik në një nga rrugët e frekuentuara të kryeqytetit, kur u përball me kërcënimin. Ngjarja ndodhi më 6 shtator, në orën 23:14, dhe policia u njoftua menjëherë.

Autoritetet arrestuan një agjent futbolli 31-vjeçar, i cili përfaqëson edhe futbollistë të Kombëtares së Anglisë, nën dyshimin se ia drejtoi armën me qëllim frikësimin e futbollistit. Ai dyshohet gjithashtu për tentativë shantazhi dhe kërcënime ndaj mikut të lojtarit.

Agjenti u arrestua në shtëpinë e tij luksoze në Hertfordshire, me vlerë rreth 2 milionë paundë, dy ditë pas incidentit dhe u la i lirë me kusht më 9 shtator, duke iu ndaluar të kontaktonte futbollistin apo të afrohej te qendra stërvitore e klubit të tij. Ai nuk është akuzuar ende zyrtarisht dhe është në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Një burim pranë çështjes tha për mediet angleze:

“Ka qenë një ngjarje tejet e frikshme. Lojtari ishte thellësisht i tronditur, pasi kërcënimi me armë është diçka që të lë gjurmë. Ai e raportoi menjëherë dhe klubi po i jep mbështetje maksimale.”

Hetimet e policisë së Metropolit po vazhdojnë, ndërsa agjentit i është kërkuar të dorëzojë pasaportën pas udhëtimeve të autorizuara dhe të paraplanifikuara jashtë vendit. Ai duhet ta rikthejë atë te policia në momentin e kthimit në Britani muajin e ardhshëm.

Lojtari dhe miku i tij fatmirësisht kanë shpëtuar pa lëndime, por incidenti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe presionet e larta që rrethojnë botën e futbollit profesionist në Angli.