Futbollisti spanjoll e mposht për herë të dytë kancerin, merr dritën e gjelbër për t’iu rikthyer stërvitjeve

Fundi i vështirë i sezonit për Las Palmas është ëmbëlsuar nga lajmi më i mirë i mundshëm për klubin nga Ishujt Kanarie: kapiteni Kirian Rodriguez është rikthyer në stërvitje.
Mesfushori 29-vjeçar u detyrua të ndalonte sezonin në muajin shkurt, pasi një kontroll rutinë zbuloi se ai po përballej me kancer limfatik. Kirian e trajtoi situatën me qetësi dhe vendosmëri, duke u tërhequr menjëherë për të ndjekur një trajtim me kimioterapi.
Sipas raportimeve nga Cadena Cope, Kirian ka marrë tashmë lejen mjekësore për rikthim të plotë. Klubi e konfirmoi lajmin edhe në rrjetet sociale me një mesazh prekës: “Me të njëjtën përkushtim dhe energji që është ngjitëse, fillon rrugëtimi i rikthimit.”
Ai është parë tashmë në stërvitjen parasezonale me bashkëlojtarët dhe duket se po kthehet gradualisht në formë të plotë.
Kjo është hera e dytë që Kirian e mposht këtë sëmundje të rëndë. Në vitin 2022 ai mori të njëjtin diagnozë dhe kaloi shumicën e sezonit duke u rikuperuar. Me Las Palmas në garë për ngjitje, ai bëri një rikthim madhështor në pesë ndeshjet e fundit të sezonit në Segunda, ku startoi në katër prej tyre.
Ai dha një asist vendimtar në ndeshjen e parafundit, duke ndihmuar skuadrën të siguronte ngjitjen automatike në La Liga pas gjashtë vitesh mungesë. Si vendas nga Ishujt Kanarie, Kirian është një figurë shumë e dashur për tifozët në Gran Canaria, dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë një frymëzim i vërtetë – pa përmendur performancat e tij të shkëlqyera në fushë.
Pas ndarjes nga trajneri Diego Martinez, Las Palmas ka emëruar si trajner të ri Luis Garcia Plaza, i njohur për aftësitë e tij për të rikthyer skuadra në elitë, së fundmi me Alaves. Ai do të punojë me një skuadër të transformuar ndjeshëm, pasi kanë larguar emra si Alberto Moleiro, Javi Muñoz, Alex Muñoz, Scott McKenna, Oli McBurnie, Jose Campana, Jasper Cillessen dhe Benito Ramirez, si dhe disa huazime të rëndësishme, përfshirë Fabio Silva.