75 Mall Live Search
11:48 / E Shtunë, 28 Tetor 2023 / Gj. Sh

Futbollisti spanjoll i jep fund karrierës shkaku i bashkëshortes

Jonathan Viera është një nga idhujt e tifozerisë së Las Palmas, skuadër e LaLigas në Spanjë. Mirëpo, kapiteni është detyruar së fundmi që të ndërpresë karrierën e tij pasi është i detyruar të kujdeset për bashkëshorten e cila është diagnostifikuar me kancer.

Bashkëshortja e 34-vjeçarit i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe është në fazën e terapisë, ndaj Viera ka vendosur që të tërhiqet të paktën për momentin nga futbolli. Viera e kishte paralajmëruar disa javë më parë se karrierës së tij po i vinte fundi, megjithatë vetëm pas mungesës në ndeshjen e fundjavës së kaluar, ish-lojtari i Valencias sqaroi situatën e vështirë që po kalonte.

Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Viera do të rikthehet sërish në fushë apo do të vendosë të tërhiqet përfundimisht e të mbyllë para kohe kontratën me Las Palmas. E vetmja siguri është se për momentin fokusi i vetëm për Viera është shëndeti i bashkëshortes.