Futbollisti spanjoll që tre vite më parë ishte në “luftë” me tumorin, tani duhet të përballet me koronavirusin

Jo vetëm emergjenca e koronavirusit. Në Spanjë ka nga ata që po përjetojnë përsëri një dramë të ngjashme të kaluar disa vite më parë.
Ibai Gomez, futbollisti i Athletic Bilbao-s, ka folur për Marca-n për momentin aktual në tokën iberike me kaosin e krijuar nga Covid-19, por ka kujtuar edhe luftën e tij me tumorin.
“Është një moment kritik, por ne jemi me fat. Jemi mirë, unë dhe familja ime. Mundet vetëm të ndihmojmë ata që janë infektuar, gjëja kryesore është shëndeti”, ka thënë Gomez.
“Duhet të jemi të përgjegjshëm, sepse gjithçka është në dorën tonë. Unë jam me fat sepse kam hapësira për t’u stërvitur. Sigurisht ka nga ata që mendojnë se për ne futbollistët është më e lehtë, por pa shëndet nuk ka asgjë”.
Ibai Gomez ka zbuluar se tre vite më parë është diagnostikuar me tumor dhe ky lajm e ka ndryshuar.
“Tre vite më parë më kanë diagnostikuar një tumor në shpatull dhe nga ai moment gjëja që më intereson më shumë është të jem mirë. Kjo më ka bërë të njoh njerëz shumë profesionistë në temën e imunitetit”.
“E vetmja gjë që më mbetet të bëj për të përballuar koronavirusin është të qëndroj në shtëpi, është mënyra e vetme për të ndihmuar. Më mungon futbolli, ashtu sitë gjithëve, por tani ka rëndësi që njerëzit të kujdesen për veten”. /IndeksOnline/