Futsall/Kosova U19 kualifikohet në “Main Round” pas fitores ndaj Maqedonisë së Veriut

Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 ka prekur fazën e “Main Round” të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian “Poreçi 2023” në futsall.
Pas barazimit 3:3 me Gjermaninë në raundin e parë, Kosova U19 e mposhti Maqedoninë e Veriut me rezultat 6:3 në ndeshjen që u zhvillua në Shkup, raporton KosovaPress.
Në 20 minutat e para ishte ekipi i Maqedonisë së Veriut që u tregua më efikas, duke realizuar dy herë. Shifrat i zhbllokoi Jusuf Josifovski, në minutën e 9’, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Igor Skeoarovski, në minutën e 18’.
Por, në pjesën e dytë “Dardanët” e rinj patën paraqitje të shkëlqyeshme, duke përmbysur rezultatin me golat dy gola të Blend Krasniqit (minuta e 29’ dhe minuta e 31’) dhe nga një gol të Jetnor Kabashit (minuta e 21’) dhe Ideal Abdullahut (minuta e 32’).
Vendasit arritën ta ngushtojnë epërsinë në minutën e 34’ nga penalltia përmes Bojan Janev, mirëpo festën e “Dardanëve” e konfirmuan Jetnor Kabashi, me golin e tij të dytë, në minutën e 37’ dhe Blend Bajraktari me golin e minutës së 39’, duke vulosur rezultatin final 6:3.
Tani, Kosova U19 nga data 21 deri më 26 mars do t’i luajë ndeshjet kualifikuese të fazës “Main Round”, ku në Grupin 3, krahas Portugalisë nikoqire janë edhe Sllovakia dhe Bjellorusia.