75 Mall Live Search
09:51 / E Premte, 01 Gusht 2025 / H F

G-Bani “non grata” në Drenas, i anulohet koncerti

Një deklaratë e bujshme e këngëtarit G Bani në Tik-Tok, ku ndër të tjera tha se “po të dija që janë kaq racistë ndaj meje, nuk do të më ndjente as në ‘99-n”, ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga organizatorët e festivalit “Muaji i mërgatës” në Drenas, të cilët vendosën ta anulojnë performancën e tij të planifikuar për mbrëmjen e nesërme.

Në një njoftim zyrtar, organizatorët e quajtën gjuhën e përdorur nga artisti si “të papranueshme, fyese dhe pa etikë”, duke theksuar se festivali nuk mund të tolerojë sjellje të tilla në asnjë formë.

Ata shtuan se “Muaji i mërgatës” është një ngjarje që bashkon shqiptarët nga të gjitha anët e botës me respekt, dinjitet dhe dashuri për kulturën dhe se çdo artist që cenon këto vlera nuk ka vend në këtë hapësirë publike.

Nga ana tjetër, G Bani ka reaguar pas vendimit me një video, ku sqaroi se fjalët e tij ishin të drejtuara vetëm ndaj ndjekësve që e kishin fyer dhe jo ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Por për festivalin, dëmi ishte bërë dhe kufiri ishte kaluar.

Me këtë vendim, organizatorët e “Muajit të mërgatës” kanë vendosur një precedent të qartë: në këtë festival, artistët duhet të sjellin bashkim dhe respekt – jo ndasi dhe përçmim.