75 Mall Live Search
11:00 / E Diele, 12 Tetor 2025 / BA

G Bani tërhiqet nga “Kënga Magjike”, kjo është arsyeja

Reperi i njohur G Bani ka vendosur të tërhiqet nga “Kënga Magjike”, duke i dhënë fund pjesëmarrjes së tij në festival, për arsye që, siç shpjegon vetë, lidhen me parimin dhe respektin personal.

Në një postim të bërë në Instagram Story, ai shpjegon se vendimi erdhi pasi nuk ishte përfshirë në spotin zyrtar publicitar të festivalit në TV Klan, gjë që e konsideron një nënvlerësim profesional.

“Për arsye të mos përfshirjes së pjesëmarrjes time në spotin publicitar zyrtar të ‘Këngës Magjike’, po e anuloj konkurrimin tim në festival. Unë ky jam, dhe nuk du’ të ndryshoj,” – shkruan ai.

G Bani thekson se nuk ka ndërmend të bëjë kompromis me dinjitetin për hir të skenës apo marketingut televiziv. Ai pranon se është njeri me reagim, ndonjëherë impulsiv, por gjithmonë i sinqertë.

“Kur më ofendojnë personalisht në komente, shaj dhe ofendoj me fjalor të pistë. Kur më kritikojnë në mënyrë konstruktive, falenderoj, dëgjoj dhe përmirësoj,” – shton ai.

Në fund, reperi i bën të qartë publikut dhe kolegëve të tij se nuk do të pranojë sulme personale, as të fshehura pas termit “kritikë artistike”:

“Nëse dikush nga publiku apo nga faktorët e mediave iluzionon se do toleroj sulme personale nga publiku apo kolegët, për hir se krijoj art, gabon,” – përfundon ai.