75 Mall Live Search
08:02 / E Hënë, 13 Dhjetor 2021 / MSH

G7: Do të ketë pasoja masive për Rusinë nëse e pushton Ukrainën

Grupi G7 ka paralajmëruar Rusinë për “pasoja masive” nëse pushton Ukrainën.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, duke folur pas një samiti në Liverpool, tha se grupi dëshironte që Rusia të ndalonte agresionin e saj ndaj Ukrainës, shkruan BBC.

Megjithatë, Presidenti Putin i tha Presidentit Biden se trupat ruse nuk përbënin kërcënim për askënd.

Tensionet po rriten ndërsa Moska është duke grumbulluar trupa në kufi me Ukrainën.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se Moska mund të planifikojë një ofensivë ushtarake në fund të janarit, megjithëse zyrtarët amerikanë thonë se nuk është ende e qartë nëse Putin ka marrë një vendim.

Të martën, Biden dhe Putin mbajtën një samit virtual që synonte uljen e tensioneve në rajon.

Biden tha se ia kishte bërë të qartë Putinit se do të kishte pasoja ekonomike që nuk i kishte parë më herët, nëse ai pushtonte Ukrainën.

Të dielën, G7 i bëri jehonë kësaj, duke thënë: “Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se agresioni i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të kishte pasoja masive dhe kosto të rënda si përgjigje”.

G7 i bëri thirrje Rusisë që të de-përshkallëzohet, të ndjekë kanalet diplomatike dhe të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare për transparencën e aktiviteteve ushtarake.