23:24 / E Martë, 03 Shtator 2019 / indeksADMonline

Gabimet që nuk duhet të bëni kur nisni dieta për rënie nga pesha

Zbatimi i një regjimi të shtrënguar ushqimor kërkon disa elementë të rëndësishëm si mendësia e duhur, aktiviteti fizik dhe një plan ushqimor që plotëson nevojat e organizmit.

Zgjedhja e ushqimeve të lehta

Në ditët e sotme, tregjet janë të stërmbushura me produkte të ashtuquajtura të lehta e që kanë pak kalori. Këto produkte janë pakëz gënjeshtare për vetë faktin se mund të kenë më pak kalori por kjo nuk do të thotë se nuk kanë sheqer ose yndyrna.

Për shembull, lëngjet e gazuara që reklamohen si pa sheqer, padyshim që kanë sheqer, thjesht në forma të ndryshme, kështu që për rënien nga pesha, hiqni dorë nga këto lëngje dhe pini ujë.

Mosplotësimi i dëshirave

Nëse i nënshtroheni një regjimi shtrëngues ushqimor, kjo nuk do të thotë që të hiqni dorë nga llastimi i vetes herë pas here. Nëse dieta juaj ndalon të ëmblat por juve ju pëlqen çokollata, ju nuk do reshtni së menduari për të.

Kjo është e gabuar. Nuk duhet të hiqni dorë nga çokollata, por të zgjidhni atë që ka sasinë më të madhe të kakaos në përmbajtjen e saj.

Mjafton pak çokollatë në ditë dhe trupi dhe mendja do të jenë të kënaqur.

Uria e vazhdueshme

Gabimi i tretë që bëjnë njerëzit që janë në dietë është se qëndrojnë gjatë në kthetrat e urisë. Dieta nuk ka të bëjë me urinë por me shëndetin.

Hani më shumë fruta, perime dhe ushqime natyrale dhe mos lini nivelin e kalorive në një minimum të rrezikshëm. Nëse ju hani mbi 3 vakte në ditë në sasitë e duhura dhe me ushqime të shëndetshme jo vetëm që nuk do ju marrë uria, por edhe do të humbisni më shumë në peshë.