Luftë e madhe për Hoxhën, Galatasaray dhe Fenerbahçe interesohen për të
Galatasaray ka paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin shqiptar Arbër Hoxha, por Dinamo Zagreb nuk është e gatshme të shqyrtojë largimin e tij në këtë fazë të sezonit.
Sipas mediave turke dhe kroate, klubi kampion i Kroacisë e konsideron Hoxhën një element shumë të rëndësishëm të skuadrës dhe synon ta mbajë atë për pjesën pranverore të kampionatit.
Brenda klubit vlerësohet lart kontributi i tij në fazën e parë të sezonit, ndërsa pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë një rol kyç edhe në muajt në vijim.
Edhe pse interesi i Galatasarayt është konkret, një transferim i menjëhershëm nuk është aktualisht në tryezë.
Burimet raportojnë se Dinamo Zagreb do të ishte më e hapur ndaj një oferte nga Fenerbahçe, veçanërisht nëse ajo do të lidhej me një marrëveshje më të gjerë ku përfshihet edhe portieri Dominik Livaković, aktualisht pjesë e klubit nga Stambolli.
Situata mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një propozim financiar bindës para mbylljes së afatit kalimtar.
Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në kampionat ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime.
Kontrata e tij me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera aktuale e kartonit, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro.

