14:53 / E Hënë, 14 Tetor 2019 / indeksADMonline

Galeria e Ministrisë së Kulturës jua sjell ekspozitën “Postavangarda lindore”

Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, më 17.10.2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita kolektive/kuratoriale e titulluar “Post-Avangarda Lindore”.

Nën organizimin kuratorial të kritikes së mirënjohur të artit, Suzana Varvarica Kuka, autorët e kësaj ekspozite të përbashkët janë Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo.

Përmes një emërtimi të tillë të ekspozitës, kuratorja Varvarica-Kuka, synon të “provokojë” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, nëse arti i vendeve të ish-Bllokut të Lindjes (ku dikur bënin pjesë Kosova e Shqipëria) arrinë që t’i bëjë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore.

Duke i bërë bashkë tre artistë të shquar nga Shqipëria, kuratorja Varvarica-Kuka synon gjithashtu të ndërthurë dhe ballafaqoj në njohje dhe komunikim, artin pamor të krijuesve shqiptar nga të dy anët e kufirit administrativ Kosovë-Shqipëri.

Tre artistë, tri forma, tre preokupime vetjake dhe piktura janë bërë bashkë në ekspozitën “Post-Avangarda Lindore”, e cila ka si mision t`i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek. XXI.

Qëllimi i saj është të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës. Krijimtaria e kësaj ekspozite e pasuron gjuhën e botës krijuese të artistëve shqiptarë të sistemit dhe historisë ndërkombëtare të artit.


Postavangarda…, ky term ndjellës, i bënë bashkë tre artistët e rinj shqiptarë, të cilët aplikojnë gjestin e pikturimit mbi telajo, sjellin natyrshmërinë e krijimit vetjak, mbi të cilin aspirojnë profesionalizëm dhe dëshirë, si dhe i kushtëzohen trajtesave të njohura dhe praktikave të sprovuara të artistëve ndërkombëtarë, që u shfaqën nga mesi i shek. XIX e vijojnë deri në kohën tonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2019.