Galushi pas takimit me Kurtin e Osmanin: Ju siguroj që votat për Kryeministrin me datën 22 do të jenë prezente

Deputeti i zgjedhur, Erxhan Galushi nga Lista Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK), ka konfirmuar votën për Qeverinë Kurti dhe Vjosa Osmanin si president.
Galushi pas takimit me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti dhe ushtruese e detyrës së presidents, Vjosa Osmanin, tha se kërkesa e tyre ka qenë që cështjet për komunitetin rom të jenë në programet prioritare të qeverisë së re.
“Për herë të parë do të jem deputet. Pas konsultimit me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin ne jemi shprehur që do t’i përkrahim që të dy”, tha Galushi.
“Nuk patëm kushte specifike por deshëm programe prioritare të qeverisë për komunitetin rom”, tha tutje ai.
“Mund të flas për votat e Qeverisë Kurti pasi ato për presidenten janë akoma në diskutim. Ju siguroj që votat për Kryeministrin me datën 22 do të jenë prezente”, tha Galushi./IndeksOnline/